Lajme Botë

Takimi Biden-Xi, udhëheqësit kërkojnë të shmangin konflikte

Presidenti i SHBA Joe Biden ka premtuar se nuk do të ketë “Luftë të re të Ftohtë” me Kinën, pas një takimi pajtues me presidentin kinez Xi Jinping.

Ky ishte takimi i parë personal midis dy liderëve të superfuqive që kur zoti Biden mori detyrën.

Dyshja diskutuan gjithashtu mbi Korenë e Veriut dhe pushtimin rus të Ukrainës në bisedimet në Bali, një ditë përpara samitit të G20 në ishullin indonezian, raporton BBC.

Tensionet u rritën në gusht kur kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin. Kina u përgjigj me stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë rreth ishullit, duke shkaktuar frikën e një konflikti të mundshëm midis SHBA-së dhe Kinës.

Javët e fundit zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Kina mund të përshkallëzojë planet për të pushtuar Tajvanin.

Të dy liderët u përpoqën t’i sinjalizonin njëri-tjetrit – dhe pjesës tjetër të botës që po shikonte takimin e tyre – se ata ishin të vetëdijshëm se stabiliteti global mbështetej në marrëdhëniet midis dy vendeve të tyre dhe se ata do të vepronin me përgjegjësi.

/Shqip.com