Tahiri për Raportin e Progresit: Kosova ta harrojë anëtarësimin në BE

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se raporti i sivjetmë i Komisionit Evropian për Kosovën, është më negativi në historinë e post-pavarësisë.
Duke iu referuar Raportit të Progresit, Tahiri ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke e quajtur qeveri të regresit, politizimit, dështimit dhe paaftësisë derisa ka thënë se sa të jetë kjo qeveri në pushtet s’mund të ketë anëtarësim në Bashkimit Evropian.
Sipas Tahirit, në këtë raport, termi “progres” përmendet rreth 205 herë, por vetëm tetë herë theksohet se ka progres të mirë.
“Nga një analizë fillestare në kuadër të Aleancës, e përmbajtjes së këtij vlerësimi, por edhe e aspektit kualitativ dhe të formulimit, tregon se ky raport përdorë termin ‘Progres’ rreth 205, me këto kualifikime: 32 herë theksohet se ka mungesë progresi, 49 herë theksohet se ka progres të mangët, 59 herë theksohet se ka njëfarë progresi, 42 herë theksohet se është bërë progres, 15 herë në aspekte tjera dhe vetëm 8 herë, theksohet se ka progres të mire”, ka shkruar Tahiri.
Me këtë Qeveri sipas Tahirit, Kosova ta harrojë antarësimin në BE.
“Për Bashkimin Evropian, shqetësues mbetet fakti, që disa ligje vitale janë miratuar përmes procedurës së përshpejtuar, pa marrë në konsideratë nevojën për konsensus. Kur jemi te dështimi spektakolar ekonomik dhe social i kësaj qeverie, i cili po shoqërohet me ikje në masë të të rinjve, Raporti nënvizon performancë të dobët ekonomike, si rezultat i mungesës së investimeve, gjë që shoqërohet me inflacion të lartë dyshifror, dhe me mungesë të një qasje që ndërlidhë tregun e punës me nevojat ekonomike. Po ashtu, theksohet edhe në kritikën që i është bërë ligjit anti-kushtetues mbi emërimet e larta fikse në poste menaxheriale, të cilat dihet që kanë pasur për qëllim instalimin e vendimmarrjes partiake, pra politizimit të adminstratës me dëme afatgjata të agjendës shtetërore. Në lidhje me trumbetimin për reforma në drejtësi, kjo Qeveri në vend që të investojë në forcimin e integritetit, efikasitetit dhe llogaridhënies brenda sistemit të drejtësisë, është përkujdesur që kjo të jetë në raport me qeverinë, të kujtojmë këtu uljen e pagave dhe mos dekretimin e kryeprokurorit”, ka shkruar tutje Tahiri.
/Shqip.com