Lajme

Tahiri: Kosova del nga kriza vetëm me një qeveri të re

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka theksuar se vendi ndodhet në një krizë të thellë, përfshirë “izolimin ndërkombëtar” dhe sanksionet, që sipas tij, janë duke penguar edhe marrëveshjet me shtetet e BE-së.

Gjatë një konference për medie, Tahiri ka thënë se ndryshimet në qeverisje janë të domosdoshme për ta nxjerrë Kosovën nga kolapsi.

“Komplet angazhimi ynë do të jetë që vendit t’i japim një qeveri të re, në mënyrë që ta nxjerrim nga kriza, nga këto sanksione. Sot, lajmet e këqija nuk kanë të ndalur dhe vetëm një qeveri e re, me një kryeministër si Bedri Hamza, mund ta drejtojë vendin drejt zhvillimit”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se vendi po përballet me ngecje në shumë sektorë.

“Vendit i duhet një qeveri e re, një kryeministër i ri i cili e nxjerrë Kosovën nga ky kolaps, nga ky izolim ndërkombëtar, sot asnjë vend në BE po flas shtete veç e veç nuk nënshkruan asnjë marrëveshje me Republikën e Kosovës, sepse jemi nën masa apo nën sanksione, qofshin ato çështje shumë të thjeshta për njohje të dokumenteve apo të tjera. Kjo gjendje duhet të përfundoj dhe kjo përfundon vetëm atëherë kur ta kemi një qeveri të re nën qeverisjen e Bedri Hamzës”, ka deklaruar mes të tjerash Tahiri.

Tahiri gjithashtu ka paralajmëruar se fundi i dhjetorit do të shënojë përfundimin e legjislaturës aktuale dhe se PDK-ja do të angazhohet maksimalisht për të përfunduar punët që janë në proces, megjithatë, ai ka theksuar se vendi ndodhet në një situatë të rëndë ekonomike, arsimore dhe shëndetësore.

/Shqip.com