Lajme

Tahiri: Do ta kundërshtojmë çdo përpjekje për shtrenjtimin e rrymës

Abelard Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka deklaruar se do ta kundërshtojnë çdo përpjekje për shtrenjtimin e rrymës.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se kjo është faza e parë e përpjekjes së qëllimshme dhe të sinkronizuar të pushtetit të Albin Kurtit, që të lejojë rritjen e serishme të çmimit të energjisë elektrike.

“Kjo mësymje në kurriz të qytetarëve, përveç që është papërgjegjësi, është edhe irracionalitet. Ftoj pushtetin që të përmbahet nga një “guxim” i tillë, sepse qytetarët janë duke e prekur fundin e mundësive të tyre për të mbijetuar në rrethanat aktuale. Çdo përpjekje për të shtrenjtuar çmimin e energjisë elektrike e për t’ua shtuar këtë barrë qytetarëve, do të hasë në kundërshtimin tonë të plotë dhe të pa kompromis”, ka shkruar Tahiri.

Lexo edhe:
ZRRE pranon kërkesë emergjente për rritje të çmimit të energjisë, shkak mossubvencionimi nga Qeveria

Ky reagim vjen pasi që ZRRE njoftoi se ka pranuar aplikimin për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU)./Shqip.com