Lajme

Szunyog mbetet i befasuar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, përmes një cicërime në Twitter, ka thënë se vendimet e fundit të ekzekutivit janë befasuese.

“Jam i befasuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e ndjeshme të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ka shkruar Szunyog.

Sipas tij pagat në institucionet e drejtësisë janë ndër kërkesat themelore të BE-së.

“Financimi adekuat dhe pavarësia e institucioneve gjyqësore janë gurët e themelit të sistemit të sundimit të ligjit dhe kërkesat themelore të procesit të integrimit në BE”, ka shkruar ai.

Kujtojmë, së në mbledhjen e ditës së djeshme të Qeverisë është vendosur që të ndryshojnë pagat për prokurorë dhe gjykatës.

Ky vendim solli reagimin edhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që përmes një konference të jashtëzakonshme paralajmëruan reduktimin e punëve nëpër gjykata dhe se do të punohet vetëm në shërbime esenciale.

Tutje, në vendimin e KGJK-së, u bë e ditur se ata do të refuzojnë të marrin pjesë në secilin organizim që janë edhe përfaqësuesit e Qeverisë.

/Shqip.com