Sport Ndërkombëtar

Szczesny tregon bastin që kishte vënë me Messin

Portieri i Polonisë, Wojciech Szczesny, ka zbuluar se ka vënë 100 euro bast me Lionel Messin se gjyqtari nuk do t’i jepte penallti Argjentinës, referuar përplasjes së tyre në pjesën e parë në ndeshjen e Kupës së Botës, të mërkurën.

Portieri polak tha se nuk ka ndërmend të paguajë, pavarësisht humbjes së bastit, sepse kryesori holandez, pasi pa rastin me VAR, akordoi 11-metërsh. Nga pika e bardhë goditi Messi, por “gardiani” i Juventusit priti përballë yllit argjentinas.

Duke folur pas ndeshjes, Szczesny tha se vuri aty për aty një bast 100 euro me Messin, ndërsa skuadrat prisnin vendimin e VAR-it, i cili vendosi kundër polakëve.

“Ne folëm në momentin para penalltisë, kur rasti po shqyrtohej me VAR. I thashë Messit se vë bast 100 euro që ai (gjyqtari) nuk do ta jepte penalltinë. Kështu që unë kam humbur një bast kundër Messit”, tha Szczesny pas ndeshjes.

“Nuk e di nëse kjo lejohet në Kupën e Botës dhe ndoshta do të dënohem për këtë, por nuk më intereson për momentin. Dhe nuk kam ndërmend ta paguaj bastin e humbur. Messit nuk i interesojnë 100 euro, mendoj se ka mjaft”, ka shtuar portieri polak.

Szczesny bëri një pritje të shkëlqyer të penalltisë së Messit, por sulmuesi i Paris Saint-Germain qeshi në fund, pasi Argjentina rezultoi fituese 2-0.

Polonia gjithashtu u kualifikua, pasi Meksika mundi Arabinë Saudite 2-1, por nuk i mjaftoi për kualifikim.

/Shqip.com