OP-ED Analiza

SWOT analizë për situatën në Veriun e Kosovës

Sefer Zogaj
Sefer Zogaj

Gazetar i politikës në Shqip.com

Publikuar:

Shpesh kufiri ndërmjet dobisë dhe shkatërrimit është i hollë, por në rastin e zhvillimeve në Veriun Kosovës është krejt i padukshëm.

I dukshëm është kërcënimi i Serbisë ndaj Kosovës, pasi helikopterët serbë shihen qartazi aty; pranë kufirit Kosovë – Serbi.

Përpos shenjave agresore nga qielli, Policia e Kosovës po kërcënohet edhe nga toka.

Përpara përballen me një arsenal ushtarak që Vuçiqi iu ka vendosur në drejtim të syve, ndërsa mbrapa shpinës kanë protestues; serbët lokalë.

Ata aty pos “protestues”, janë bllokues dhe provokues.

Më të rrezikshëm sesa kamionët e vendosur në rrugë janë këngët shoviniste të kënduara po në rrugë.

Nga nxitja e atyre këngëve veç 21 vite më parë kemi përjetuar gjenocid.

Gjenocid që frymëzimin e ka larg në histori – te Dushani e Lazari.

Po ta dinin ata se pas shtatë shekujve pasardhësi i tyre, Aleksandër Vuçiq, do ta vazhdonte retorikën e njëjtë do të ndiheshin krenarë – ndoshta edhe do të kompleksoheshin.

Është viti 2021, Serbia nuk ka lëvizur nga mentaliteti mesjetar – për këtë nuk jam fortë i sigurt; mund të ketë lëvizur, por sigurisht mbrapa.

S’mund të përshkruhet ndryshe deklarata e Vuçiqit që “do të marrim masa”, fatkeqësisht ai nuk është veç llafazan.

Kishte kërcënuar se për një serb do të vrasin 100 boshnjakë. Po, e kanë bërë.

E kanë kryer gjenocidin në “zemër të Evropës”, kontinent që u bashkua në Unionin Evropian për një mori idealesh që dolën nga iluminizmi – prej vlerave të multietnicitetit, tolerancës fetare, diversitetit kulturor, pluralizmit politik.

Por, Bashkimi Evropian ka braktisur humanizmin – ka zgjedhur stilin e zakonshëm “pozicionin neutral”, në raport me zhvillimet ne veri.

Kur palët janë të pabarabarta ky pozicion i sjellë dobi veç “për të fortit”, në këtë rast Serbisë.

Për këtë, kryeministri, Albin Kurti, duhet të sillet konform rezultateve nga tereni.

Pasi drejtësia është veç një koncept që tingëllon bukur, po që s’merret dot parasysh në diplomaci.

Një SWOT  ANALIZË për kreun e ekzekutivit është e domosdoshme. Tash kur kaluan një javë që gjendja është e tensionuar dhe njëkohësisht e paqartë.

Anët e forta ( Mundësia që të shtrihet sovraniteti i Kosovës në tërë territorin e saj).

Anët e dobëta ( Plani operativ i Policisë dhe vështirësitë që mund të i hasin gjatë dimrit).

Mundësitë ( përdorimi i kësaj karte në dialogun Kosovë – Serbi dhe arritja e një marrëveshjeje dobiprurëse).

Kërcënimi ( Ri-pushtimi i Kosovës nga Serbia ).

Secili variant është i mundur, asgjë nuk duhet të përjashtohet.

Dialogu duhet të merret si obligim ndërkombëtar, jo insistim i viktimës për pajtim.

Pasi dora e pajtimit mund të përbihet nga Serbia që s’ka ndryshuar, nuk ka si, sepse mitet i kanë mbetur po të njëjtat.

Mite historike që rrjedhuan nacionalizmin serb i cili dikton politik-bërjen e Beogradit.

Ky shtet që s’arrin dot t’i shmanget mitit nacionalist kërkon t’i bashkohet Bashkimit Evropian.

Ndërsa, Evropa e ka thyer dogmën fetare, disa shekuj më parë.

Mos vallë, miti i nacionalizmit është më i pathyeshëm sesa dogma fetare?!

Nëse si analizë krahasuese e marrim veç Bashkimin Evropian dhe Serbinë – atëherë përgjigja është PO.

Kjo është kuptimore, mbi këtë disa mësime mund të nxirren.

“Presioni ndërkombëtar” mbi Serbinë nuk kryen punë me joshjen e disa investimeve direkte.

Serbia – Kosovën e ka edhe çështje fetare të ndërlidhur me nacionalizmin si gjaku me mishin.

Një realitet i tillë nuk nënkupton kurrë persekutim ndaj qytetarëve serbë, aq më pak ndaj atyre të Kosovës.

Serbët në vendin tonë duhet të çlirohen nga Beogradi, kjo ka shumë rëndësi që Kosova të çlirohet nga ndikimi i Serbisë 21 vite pas luftës.