Lajme

Sveçla njofton për sekuestrimin e pajisjeve të prodhimit të kriptovalutave në Zubin Potok

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njofton se njësitet policore gjatë ditës së sotme, në një lokacion në komunën e Zubin Potokut kanë identifikuar dhe sekuestruar 20 pajisje të prodhimit të kriptovalutave.

“Pas trajtimit me sukses të një rasti të kalimit ilegal dhe zhvillimit të kontrabandës mbrëmë në pjesën veriore të vendit tonë, njësitet policore sot një lokacion në Komunën e Zubin Potokut kanë identifikuar dhe sekuestruar 20 pajisje të prodhimit të kriptovalutave”, ka shkruar Sveçla.

Sveçla njofton se në koordinim me organet e drejtësisë dhe në zbatim të urdhëresave të tyre, Policia sot ka arrestuar në Leposaviq ish-zyrtarin policor Goran Savic i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë vitit 2021. I njejti, dyshohet të ketë sulmuar fizikisht edhe dy qytetarë serb.

“Ditën e përmbyllim me lajmin e mirë që Policia jonë i është bashkuar kampanjës së EUROPOL #TheNetThatWorks, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Bashkëpunimit Policor. Kjo nismë pjesë e së cilës është edhe Policia e Kosovës, synon promovimin e bashkëpunimit me qëllim të trajtimit të kërcënimeve kundër sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar, atij kibernetik dhe terrorizmit”, ka shkruar tutje ministri Sveçla.

/Shqip.com