Sport Shqiptar

Superliga e Kosovës në volejboll vjen me ndeshje të forta në fundjavë

Takimet e xhiros së shtatë në Superligën A, meshkujt, zënë vend këtë fundjavë, me ndeshjen kryesore që luhet mes Skenderbeut dhe Dritës, të dielën me fillim nga ora 19:00.

Skenderbeu aktualisht pozicionohet në vendin e tretë me 11 pikë, dy më pak se Drita një pozitë më lart.

Lideri i Superligës A, Peja pret G.E Therandën të shtunën me fillim nga ora 20:30.

Në të njëjtën ditë, Luboteni luan si nikoqir i Ferizajt në “reprizën” e përballjes së kësaj jave, e cila u luajt si ndeshje e mbetur nga xhiroja e dytë.

Aksioni në Superligën A të Kosovës, femrat, rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së shtatë.

Një ndeshje tashmë është zhvilluar në kuadër të kësaj xhiroje, me Dritën që e ka mposhtur Feronikelin me rezultat 0-3 (13-25,14-25,17-25).

Ndeshja kryesore e kësaj jave luhet mes Fushë Kosovës dhe Skenderajt, të shtunën me fillim nga ora 17:00 dhe transmetohet direkt në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Përballja tjetër luhet të dielën mes Fer Volleyt dhe M-Technologie, me fillim nga ora 20:00.

/Shqip.com