Lajme

Stano i kundërpërgjigjet Kurtit: BE nuk ka hequr dorë nga plani Franko-Gjerman

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kurti pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, deklaroi se Bashkimi Evropian ka hequr dorë nga plani franko-gjerman.

Më tutje, Kurti tha se Borrell ka hequr datën që ishte vendosur për normalizim të marrëdhënieve, që ishte marsi i vitit 2023.

Lexo edhe:
Kurti tregon arsyet e kundërshtimit të propozimit të BE-së për targat

“Çdo pretendim se BE-ja po heq dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e mbështet Gjermania, Franca dhe SHBA-ja, është i pasaktë. BE-ja vazhdon të qëndrojë plotësisht pas këtij propozimi dhe inkurajon dyja palët që të bien dakord me tekstin, sapo të jenë të gatshme t’i dëshmojnë komunitetit ndërkombëtar se janë të afta të pranojnë zgjidhjet evropiane. Tani është thelbësore që të dyja palët të shmangin përshkallëzimin, e kërkohet veprim i menjëhershëm nga dyja palët – Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave e Serbia të mos lëshojë targa të reja KM. Nuk mund të ketë negociata për normalizimin me kërcënim aktual të dhunës”, ka thënë Stano, raporton N1.

Më tutje Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka dështuar të arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

/Shqip.com