Lajme

Stano: I dënojmë incidentet e dhunshme në veri

Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media, është shprehur se shtetet anëtare të BE-së, i dënojnë veprimet e dhunshme të ditëve të fundit.

“I dënojmë incidentet e dhunshme dhe sulmet. BE-ja bën thirrje për përgjegjësi dhe shtensionim, për të mirën e popullatës lokale. EULEX-i dhe KFOR-i janë prezent në terren dhe vazhdojnë patrullimin dhe monitorimin e situatës”, tha Stano.

Sipas tij, në fokus duhet të jetë normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi sepse kjo është qenësore për rrugën evropiane për të dyja vendet, gjë që është potencuar vazhdimisht kohën e fundit, e sidomos në Samitin e Tiranës.

Në lidhje me sanksionimin e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, nga Britania e Madhe, Stano tha se BE-ja nuk i diskuton në publik këto çështje.

“Sa herë që vjen puna te sanksionet, ju e dini që sanksionimi është diçka që nuk e diskutojmë publikisht, për sa i përket diskutimeve të mundshme, sugjerimeve propozimeve të mundshme, është diçka që nuk do të komentoj, por mund të përsëris se BE-ja dhe shtetet anëtare që janë përgjegjëse për të vendosur për çdo masë kur kemi të bëjmë për çështje të tilla”, u shpreh Stano.

/Shqip.com