Lajme

Sot, Samiti BE-Ballkani Perëndimor, kjo është agjenda

Pas atij kushtuar Ukrainës, mbahet sot në Tiranë një tjetër samit, ai i BE-Ballkani Perëndimor, ku në fokus do të jetë zbatimi i Planit të Rritjes Ekonomike, si rruga drejt integrimit të rajonit në BE.

Kryeministri Edi Rama ka ftuar për të marrë pjesë në këtë samit përfaqësues të BE-së, siç është Komisioneri për Zgjerimin e Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Ndonëse dje e pranishme në samitin kushtuar Ukrainës ishte presidentja Vjosa Osmani, sot Kosova nuk do të ketë përfaqësues, ndërkohë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të marrë pjesë.

Po ashtu në këtë samit merr pjesë dhe kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Dhe teksa pritet që të nisë punimet samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku në fokus do të jetë plani i ri i rritjes, vjen një reagim nga kryeministri Edi Rama.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Rama thekson se ky plan do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit.

“MIRËMËNGJES dhe me veçantinë e një tjetër dite, ku Shqipëria mikpret Samitin e Ballkanit Perëndimor me BE për Planin e Ri të Rritjes, i cili do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit tonë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkroi Rama.

Ndërkohë, është publikuar agjenda e samitit.

Ora 9.30-9.45- Mirëseardhja nga Kryeministri Rama – Vendi: Pallati i Kongreseve

9.45-10.0- Fjala e hapjes Kryeministri Rama dhe Komisioneri Várhelyi

10.00-10.45- Paneli I: Hyrja në Tregun e Përbashkët

10.50- Foto familjare

-11.00- Pushim për kafe

11.00-11.45- Paneli II: Plani i rritjes

Ora 11.45-11.50- Konkluzione të dhëna nga Kryeministri Rama

12.00-12.30- Ceremonia e Nënshkrimit të Marrëveshjes

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirlliu, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe komisionerit Olivér Várhelyi.

Ora 12.30-13.15- Konferencë për shtyp e kryeministrit Rama dhe komisionerit Várhelyi

/Shqip.com