Kulturë

Sot është 147 vjetori i lindjes së Faik Konicës

Faik Konica

Sot, 147 vjet më parë lindi rilindësi i letërsisë shqiptare, Faik Konica.

Ai u lind më 15 mars 1876 në Konicë dhe vdiq më 14 dhjetor 1942 në Uashington. Konica ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtar dhe shkrimtar shqiptar.

Konica vinte nga një familje e vjetër feudale, ku mësimet e para i mori në vendlindje në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA.

Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga ana e nënës kishte lidhje gjaku me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishten rrjedhshëm. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dijon dhe Paris.

Në vitin 1912 u diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit të SHBA-së me medaljen e artë, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”.

Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris, ai vendoset në Bruksel, ku nxjerr revistën e njohur “Albania”. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vjet me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Por, në vitin 1909 kur u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën “Dielli” dhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra” më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj.

Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.

Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet ’20-ta u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”. Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA.

Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe.

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqipe. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

/Shqip.com