Lajme

S’ka kufizime, të rinjtë deri në 25 vjeç mund të aplikojnë për t’iu bashkuar FSK-së

Nga sot, Ushtria e Republikës së Kosovës nuk ka kufizim në numër, dhe të drejtë aplikimi kanë të gjithë të rinjtë deri në 25 vjeç.

Siç kanë njoftuar ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj njoftoi se në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës janë miratuar tri projektligje.

“Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Ministrinë e Mbrojtjes. Miratimi edhe në lexim të dytë i këtyre projektligjeve krijon dhe fuqizon bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së”, shkroi Mehaj.

Njeri prej këtyre projektligjeve të miratuara në Kuvend, bënë ndryshimin e moshës së lejuar për aplikim në FSK, ashtu siç u përmend më lart.

“Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK, e po ashtu përmes ndryshimit të kriterit të moshës së lejuar për aplikim, krijon mundësi më të mëdha për të gjithë ata të rinj deri në 25 vjeç të cilët duan të bëhen pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

Sipas Mehajt, Projektligji për FSK-në rregullon kompetencat, organizimin dhe funksionimin e ushtrisë.

“Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, rregullon kompetencat, organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, fuqizimin e FSK-së përmes inicimit të programeve të veçanta financiare prë mbështetje të forcës, fuqizimin e rolit të Shtabit të Përgjithshëm, e mbi të gjitha heqjen e kufizimeve sa i përket rekrutimit të pjesëtarëve aktiv dhe rezervë të FSK-së”.

Ndërsa, i fundit ka të bëjë me Ministrinë e Mbrojtjes e që rregullon fushëveprimin e saj dhe të ministrit.

“Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, rregullon kompetencat dhe fushëveprimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrit te Mbrojtjes. Gjithashtu, ky ligj rregullon edhe përbërjen e personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, personel ky ushtarak dhe civil, si dhe fuqizimin e kontrollit dhe mbikëqyrjes civile demokratike të Forcës së Sigurisë së Kosovës”. Miratimin e këtyre projektligjeve, Mehaj e quan sukses të madhë për Ushtrinë e Kosovës

/Shqip.com