Art Jetese

Si ndikon vapa tek organizmi, ja nga çfarë duhet të keni kujdes gjatë këtyre ditëve

Luhatjet e motit duket se kanë përfunduar duke i lënë vendin temperaturave përvëluese. Këto temperatura janë më të papërballueshme sidomos për fëmijët dhe moshat e thyera.

Por vapa e madhe është tepër e rrezikshme sidomos për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.

Si ndikon vapa tek organizmi

Temperatura e trupit nuk duhet të jetë as shumë e nxehtë dhe as shumë e ftohtë. Nëse temperatura rritet ndjeshëm, proteinat që e mbrojnë organizmin dhe që janë përgjegjëse për çdo proces të tij reshtin së funksionuari.

Rrezatimi

Nxehtësia në trup kalon nga zonat e ngrohta tek ato më të ftohta. Për sa kohë ajri përreth është më i ftohtë se trupi, organizmi rrezaton nxehtësi në ajër. Ky rrezatim ndalon që në momentin kur temperatura e ajrit i përafrohet asaj të trupit. Rrezatimi është një proces që kërkon një qarkullim më të centralizuar të gjakut sidomos në zonën e lëkurës. Kjo e bën zemrën të rrahë më shpejtë dhe të pompojë më shumë gjak.

Avullimi

Çdo molekulë djerse që avullon nga lëkura merr me vete nxehtësinë e tepërt. Në një ditë pa lagështi, avullimi i djersës (një sasi e barazvlefshme me një lugë çaji) e freskon ndjeshëm të gjithë gjakun. Por kur lagështia rritet në mbi 75%, avullimi i djersës bëhet tepër i vështirë. Avullimi i djersës rrit presionin në sistemin kardiovaskular. Djersa merr më shumë nxehtësi nga trupi, bashkë me shumë minerale të dobishme për nervat, muskujt dhe ekuilibrat e lëngjeve.

Shëndeti i zemrës dhe përballja me vapën

Njerëzit e shëndetshëm arrijnë të kenë një tolerancë më të lartë ndaj ndryshimeve të temperaturave. Njerëzit që kanë probleme me zemrën kanë një organizëm më të stresuar dhe rrjedhimisht goditen më fort nga vapa. Zemra tek njerëzit që kanë pësuar një atak e ka më të vështirë të pompojë mjaftueshëm gjak për tu përballur me vapën. Enët e bllokuara të gjakut si pasojë e kolesterolit kanë një qarkullim të dobët të gjakut në lëkurë.

Si të luftoni vapën

Ekspertët rekomandojnë që njerëzit që kryejnë aktivitet fizik, ta bëjnë atë në mëngjes herët ose në mbrëmje vonë. Në pikun e vapës, sigurohuni që të qëndroni në një ambient me ajër të kondicionuar, të bëni banjë ose të vendosni kompresa të ftohta nën sqetulla.