Lajme

Shqiprim Arifi nesër viziton krerët e UÇK-së në Hagë, e nis me Veselin

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka bërë të ditur se më 27 qershor do ta vizitojë në qendrën e paraburgimit në Hagë, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.

Arifi është shprehur i shqetësuar në lidhje me procesin, që sipas tij, është i padrejtë ndaj siç i quajti ai, burrështetasve të Kosovës.

“Vizitë krerëve të UÇK-së në Hagë. Të shqetësuar me procesin e padrejtë ndaj burrshtetasve tanë, nesër do të qëndroj në Hagë për të vizituar ish kryeparlamentarin Kadri Veseli. Të bindur, ne besojmë fuqishëm në pastërtinë e luftës çlirimtare në krye me ata që sot bartin emrin e Lirisë!”, ka shkruar Arifi në Facebook.

Kadri Veseli është duke u mbajtur në paraburgim në Hagë pasi që i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale në nëntor të vitit 2020.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai së bashku me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen se mes marsit 1998 deri në shtator 1999 së bashku me anëtarë tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar si dhe ushtruar kontroll mbi gjithë Kosovën përmes metodave të frikësimit, keqatrajtimit, ushtrimit të dhunës dhe eliminimit të paligjshëm të atyre që i konsideronin kundërshtarë.

Theksojmë se që nga koha kur Veseli është dërguar në Hagë, ai ka vizituar tri herë.

Veseli për herë të parë nga paraburgimi ishte në Kosovë në maj të 2021-ës për të vizituar babain e tij që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Mitrovicës.

Për herë të dytë ai erdhi për t’i dhënë lamturën e fundit babait të tij në korrik që tashmë ishte varrosur në fshatin e tij të lindjes, në Broboniq të Mitrovicës.

E vizita e tretë ishe për të marrë pjesë në varrimin e nënës së tij më 11 janar 2022./Shqip.com