Shqipëria pret Bullgarinë e shumë problemeve në Air Albania

Shqipëria luan në Air Albania një sfidë miqësore ndaj Bullgarisë, të parën në epokën Sylvinho.
Braziliani deri më tani ka drejtuar kombëtaren vetëm në ndeshjet zyrtare të kualifikueseve për Euro 2024 duke pasur nëj bilanc tejet pozitiv me katër fitore, një barazim dhe një humbje.
Kjo ndaj Bullgarisë mund të konsiderohet edhe si ndeshja e parë pa shumë stres e Sylvinhos në krye të Shqipërisë.
Kuqezinjtë për vetë rezultatet e fundit, do të jenë më të relaksuar në fushë, sidomos pas triumfit me Çekinë që i afroi jashtë mase me kualifikimin në Europianin e vitit 2024 në Gjermani.
Ndaj Bullgarisë, trajneri Sylvinho do t’i japë një shans lojtarëve që kanë marrë më pak minuta në ndeshjet kualifikuese, teksa rotacioni i gjerë pritet të përfshijë 11-tëshen e parë.
Nga porta në sulm, tifozët do të kenë mundësinë të shohin edhe linjën e dytë të kombëtares që duhet theksuar se ka një organikë shumë të pasur dhe secili prej tyre mund të konsiderohet titullar.

Nga ana tjetër, Bullgaria nuk është në një moment të mirë, madje nuk fitojnë prej një viti, nga nëntori i kaluar në një ndeshje ndaj Qipros (2-0) në miqësore.
Që nga ajo kohë, skuadra e drejtuar nga serbi Mladen Krstajic, në 8 ndeshje të luajtura ka regjistruar 3 barazime dhe 5 humbje.
E fundit këtë të diel kur u mundën 0-2 në shtëpi nga Lituania në ndeshjet kualifikuese të europianit, ku në grupin G ndodhen në vendin e fundit me vetëm dy pikë, pa asnjë shans kualifikimi.
Kështu, Shqipëria ka shansin për të fituar një tjetër sfidë dhe për të ruajtur një ecuri fantastike duke thyer të tjera rekorde nën drejtimin e Sylvinhos.
Shqipëri-Bullgari, luhet prej orës 18:00./SS
/Shqip.com