Lajme Ballkan

Shqipëri: Gjatë një viti u ndaluan 168 policë, 300 punonjës policie nën hetim nga prokuroria

Bilanci i vitit 2022 i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dëshmoi se Policia e Shtetit vijon të ketë probleme.

Punonjës të caktuar shpesh janë konstatuar në anën tjetër të ligjit dhe të dyshuar për vepra të rënda penale deri tek vrasja, përkrahja e autorit të krimit, korrupsioni e shpërdorimi i detyrës.

Për këtë arsye, gjatë vitit të kaluar janë arrestuar 168 punonjës policie dhe mbi 300 të tjerë janë nën hetim nga prokuroria.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë.

Rasti më të flagrant që tregoi inkriminimin e një pjese të policisë ishte arrestimi i oficerit të Operacionales, Jeton Lami, i akuzuar se ka ndihmuar të shumëkërkuarin Ervis Martinajn, fati i të cilit mbetet ende mister.

Po ashtu, vetëm gjatë vitit që lamë pas me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë janë përjashtuar nga policia rreth 80 punonjës për shkelje të ndryshme, raporton Top Chanel.

/Shqip.com