Lajme

Shpend Ahmeti thotë se asnjëri nga kandidatët për kryetar të Prishtinës s’ia mbush syrin

Kyretari i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Kryetari aktual i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se asnjëri nga kandidatët për të parin e kryeqytetit nuk ia mbush syrin, transmeton Shqip.com.

“Nga ato që po shoh si ofertë mendoj se disa nga ata janë papërvojë në qeverisje lokale”, është shprehur Ahmeti në ‘Rubikon’ të Klan Kosovës.

“Për Prishtinën çdo kandidati i mungon diçka. Mua më duket sikur babait për vajzën: asnjë djalë nuk është i mirë për të”, thotë tutje Ahmeti.

Më tej i pari i Prishtinës tha se për secilin janë të mjaftueshme dy mandate, aq sa ka pasur edhe vetë për ta drejtuar një institucion lokal.

Sipas tij me këtë logjikë duhet liruar rrugën për kandidatë të tjerë.

“Nuk ka punë më të vështirë në politikë sesa kryetar komune. Tetë vjet mjaftojnë për të qenë kryetar komune”.

Ai lë të kuptohej se sa është e vështirë të drejtohet komuna. Thotë se asnjëherë nuk mund të zgjidhen problemet bazike që ka Prishtina, sapo të zgjidhet një, gjithmonë del diçka e re.

“Prishtina ka probleme bazike, disa i kemi zgjidhur, por asnjëherë nuk zgjidhen të gjitha problemet. As më 2025 nuk do të zgjidhen të gjitha çështjet, një përfundon, del një e re”, është shprehur Ahmeti.

Në garë për të zënë pozitën që Shpend Ahmeti e ka që nga viti 2013, janë pesë kandidatë. Nga Lëvizja Vetëvendosje garon Arben Vitia, nga Partia Demokratike e Kosovës – Uran Ismaili, nga Lidhja Demokratike e Kosovës në garë është Përparim Rama, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj dhe nga Aleanca Kosova e Re, Gëzim Mehmeti. /Shqip.com