Kulturë

Shoshi: Rreth 250 objekte kulturore rrezikohen nga mos intervenimi

Në natën e katërt të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, më 27 mars të vitit 1999, muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte në “syrin” e pushtuesve serbë.

Sipas menaxherit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Parim Kosova, ishte kjo nata kur bombardimet e serbëve goditën dhe e rrënuan tërësisht muzeun.

“Sipas një skenari që faktikisht serbët kishin improvizuar, ngjit me muzeun ka qenë edhe Kuvendi Komunal, ku kanë qëndruar forcat e ndryshme të armatosura serbe, kështu që rreth orës 23:00 është goditur muzeu është djegur dhe komplet muzeu i sektorit historik është djegë me të gjitha eksponatet, dhe faktikisht pastaj një automjet i zjarrfikësve ka hedhur ujë, me ç ‘rast është shembur kati i dytë i muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, tha Kosova për Shqip.com.

Tutje, Kosova shpjegon edhe mënyrën se si serbët tentuan ta shfajësonin aktin e tyre, para gazetarëve ndërkombëtar të asaj kohe.

“Pastaj të nesërmen rreth orës 04:00 disa që e kanë djeg muzeun sjellin edhe disa copëza të bombave të NATO-s, të cilën e kanë marrë nga kazerma e Prizrenit dhe në mëngjes pak më vonë mbajnë edhe konferencë para gazetarëve ndërkombëtarë të cilët ishin të akredituar atë kohë në Kosovë. Serbët proklamojnë në media kinse muzeu është goditur fillimisht thonë nga UÇK-ja, dhe më vonë thonë se i ka goditur granata e NATO-s”, tha tutje ai.

Mirëpo, pas luftës, Kosova thotë që objekti i Lidhjes Shqiptarë të Prizrenit është rindërtuar me të gjitha përmasat e njëjta brenda një kohe të shkurtër prej 45 ditësh.

Se sa objekte të tjera kulturore janë dëmtuar apo rrënuar tërësisht gjatë bombardimeve të luftës së fundit në Kosovë, Shqip.com ka drejtuar pyetje edhe në Ministrinë e Kulturës, që nga data 13 shtator, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

“250 objekte të tjera të trashëgimisë kulturore janë në rrezik të shkatërrimit”

Fatin e njëjtë me objektin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nuk e patën edhe rreth 250 objekte të tjera të Kosovës të cilat po rrezikohen të shkatërrohen.

Sali Shoshi, nga Organizata për Trashëgimi Kulturore, për Shqip.com tha se gjatë luftës në Kosovë mbi 300 kulla dhe rreth 240 xhamive janë rrënuar.

“Një pjesë e tyre është rinovuar por jo të gjitha, shumica e kullave janë rrënuar për shkak se nuk ka pasur intervenim të shpejt, i kanë mbet vetëm muret dhe pronarët janë detyruar që këto mure, ato mbetje të rrënojave t’i pastrojnë dhe ato janë shuar komplet”, tha Shoshi.

Tutje ai tha se ende ka objekte të rrezikuara e që nevojitet intervenimi urgjent i tyre.

“Ka plotë sipas statistikave janë edhe rreth 250 ndërtesave që janë në rrezik të shkatërrimit qoftë nga lufta qoftë nga mos mirëmbajtja dhe kujdesi pas luftës, ato kërkojnë ndërhyrje të shpejt që t’ju jepet ndihma e parë”, tha ai.

Tutje, Shoshi tregon që Organizata për Trashëgimi Kulturore, ka lansuar para 10-ditëve një program i cili financohet nga Qeveria e Kosovës, për intervenimet emergjente që i dedikohet këtyre ndërtesave me qëllim që të mund të qëndrojnë para një restaurimit të plotë./Shqip.com