Lajme Botë

Shkencëtari rus, Anatoly Maslov, dënohet me 14 vjet burgim për tradhti

Shkencëtari rus, Anatoly Maslov, gjatë paraqitjes para gjykatës në Shën Petersburg më 21 maj 2024.
Shkencëtari rus, Anatoly Maslov, gjatë paraqitjes para gjykatës në Shën Petersburg më 21 maj 2024.

Një gjykatë në Shën Petersburg ka shqiptuar 14 vjet burgim për fizikanin rus, Anatoly Maslov, pasi ai u gjet fajtor për akuzën për tradhti.

Paraprakisht, prokurorët kishin kërkuar që shkencori rus të dënohej me 17 vjet burgim.

Maslov, 77 vjeç, është ekspert në fushën e gazrave të lëngshme dhe profesor në Departamentin e Aerohidrodinamikës në Universitetin Teknik të Novosibirskut. Ai ishte arrestuar më 2022 nën dyshimet se kishte kaluar informacione të klasifikuar te një shtet i huaj.

Maslov ka mohuar akuzat. Ai është në mesin e tre shkencëtarve nga i njëjti institut, që të tre specialistë të hipersonikës, që janë arrestuar më 2022 nën akuza për tradhti. Dy shkencëtarët e tjerë, Alexander Shiplyuk dhe Valery Zvegintsev, ende po presin gjykimin.

Këta tre shkencëtarë kanë kryer punë teorike për zhvillimin e raketave hipersonike, që janë armë të avancuara, të afta të fluturojnë 10 herë më shumë se shpejtësia e zërit dhe të shmangin sistemet e mbrojtjes ajrore.

Presidenti rus, Vladimir Putin, vazhdimisht ka thënë se Rusia është lidere në botë sa i përket këtyre armëve, të cilat ka pranuar se i ka përdorur në luftën kundër Ukrainës.

Të paktën 12 shkencëtarë janë arrestuar në Rusi nën akuzat për tradhti që nga viti 2018. Shumica e tyre janë arrestuar për aktivitete që konsiderohen pjesë normale e punës shkencore, sikurse është publikimi në revista ndërkombëtare, bashkëpunimi me kolegët nga vendet e tjera dhe për shkak të pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare. /REL

/Shqip.com