SHBA thirrje liderëve të Ballkanit: Duhet të bëjnë më shumë për të çuar përpara rajonin
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë të enjten se ndërtimi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimit kërkon kohë, dhe liderët e rajonit duhet të pranojnë që duhet të bëjnë më shumë për të çuar përpara rajonin.
Ai i ka bërë këto deklarata në Fondin Gjerman Marshall, në adresimin e tij të parë të madh prej kur e ka marrë pozitën e mbikëqyrësit të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Evropën dhe Euroazinë.
I pyetur nëse Perëndimi duhet të zgjedhë në mes të reformës dhe stabilitetit për rajonin e Ballkanit, dhe nëse ekziston një balancë në këtë drejtim, ai ka thënë se me proceset e shumta në këto vende duhet të punohet në faza të ndryshme. I pyetur për zgjedhjet e fundit në Serbi, të cilat janë kritikuar prej faktorit ndërkombëtar, ai ka thënë se “sfida është se kush do të mund të premtojë rezultat për njerëzit në Serbi?”, dhe duke përmendur rëndësinë e ruajtjes së demokracisë në rajon.
Partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka fituar 46.72 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale, të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar.
Duke folur në këtë temë, ai ka përmendur se Serbia është duke pasur performancë të mirë ekonomike në kohën e fundit dhe kjo, sipas tij, nënkupton se ky vend do të ketë rritje ekonomike dhe do të tërheqë investime të reja në Serbi.
“Nëse dëshirojmë që edhe shtetet tjera t’i kenë mundësitë e njëjta, do të duhet të inkurajomë reforma, qoftë edhe me rrezikut e jostabilitetit”, ka thënë ai.
Mes tjerash, O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do t’i ndihmojnë Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit, me qëllim të përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në të.
Në këtë drejtim, ai e ka vënë theksin te Plani i BE-së për rritje ekonomike – të prezantuar më 22 janar në Shkup – duke thënë se ai do të shërbejë si shtysë e re për këto vende në rrugën drejt integrimeve.
“Këto janë steroide për një ekonomi”, ka thënë ai, kur ka folur për fondet që do të mund t’i përfitojnë vendet e Ballkanit, në këmbim të kryerjes së reformave.
Mes tjerash, O’Brien e ka përmendur se në takimin e 22 janarit, e ka vërejtur që vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lodhura me premtimet e dhëna të BE-së për zgjerim, pa ndonjë rezultat konkret dhe beson që plani i ri do të ketë efekte praktike.
“SHBA-ja do të ndihmojë Ukrainën për të fituar”
Përgjatë adresimit të tij, O’Brien është fokusuar në luftën në Ukrainë, Ballkanin Perëndimor dhe çështje tjera me rëndësi madhore, sikurse avancimi i teknologjisë, migrimi dhe klima.
“Sfida jonë është këtë vit është të dëshmojnë që qeveritë e arsyeshme mund të japin rezultate”, ka thënë zyrtari amerikan, duke shtuar se në të kundërtën u hapet mundësia të tjerëve për të përhapur “slogane të rreme”.
Duke folur për pushtimin rus në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022, ai ka thënë se beson që Ukraina do të jetë në pozicion më të mirë deri në fund të 2024 dhe që SHBA-ja do t’i ndihmojë këtij vendi për të fituar.
Sipas tij, në Kongresin amerikan ekziston mbështetje e madhe për ndihmë të mëtutjeshme për Ukrainën, pavarësisht bllokadës aktuale në këtë institucion prej republikanëve konservatorë, të cilët nuk dëshirojnë ndarjen e më shumë ndihmave për këtë vend.
Sipas tij, arsyeja kryesore pse SHBA-ja ndihmon Ukrainën në këtë luftë është sepse në mënyrë, vendi i tij, dhe vendet tjera janë më të sigurta.
O’Brien ka paralajmëruar zvogëlim të ekonomisë së Rusisë për rreth 6 për qind më shumë në dy vjetët e ardhshëm. Ai ka thënë se Rusia ka vendosur të heqë dorë prej botës së pasur duke marrë drejtim tjetër, dhe aty ka përmendur Korenë e Veriut, me të cilën së fundi sinjalizon rritje të bashkëpunimit.
Sipas tij, presidenti rus, Vladimir Putin ka menduar se do ta dobësojë NATO-n, mirëpo ka përfunduar me një aleancë më të fuqishme, duke përmendur anëtarësimin e Finlandë në të, pas nisjes së luftës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./Radio Evropa e Lirë
/Shqip.com