Lajme

SHBA kishte vënë shpërblim 7 mln USD për “kokën e tij”, Izraeli vret komandantin e lartë të Hezbollahut

Izraeli vrau një komandant të lartë të Hezbollahut në një sulm ajror në periferitë jugore të Bejrutit të premten, thanë dy burime të sigurisë në Liban, duke përshkallëzuar ashpër konfliktin njëvjeçar midis Izraelit dhe grupit të mbështetur nga Irani.

Objektivi ishte komandanti i operacioneve të Hezbollahut, Ibrahim Aqil, i cili shërben në organin më të lartë ushtarak të grupit, thanë dy burime sigurie në Liban dhe Radio Ushtria Izraelite. Aqil u vra së bashku me anëtarët e njësisë elitare të Hezbollahut Raduan teksa po mbanin një takim, tha një nga burimet e sigurisë.

Sulmi vrau tetë persona dhe plagosi 59 të tjerë, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit, në një raportim paraprak. Sulmi i shkaktoi një goditje tjetër Hezbollahut pasi grupi pësoi një sulm të paprecedentë në fillim të kësaj jave, në të cilin pagerët dhe telekomandimet e përdorura nga anëtarët e tij shpërthyen, duke vrarë 37 njerëz dhe duke plagosur mijëra të tjerë. Ai sulm besohej gjerësisht se ishte kryer nga Izraeli, i cili as nuk e ka konfirmuar apo mohuar përfshirjen e tij.

Mbrojtja civile tha se ekipet e saj të shpëtimit po kërkonin njerëz nën rrënojat e dy ndërtesave të goditura në sulmin e së premtes. Ushtria izraelite tha se kishte kryer një “sulm në shënjestër” në Bejrut, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Kjo është hera e dytë në më pak se dy muaj që Izraeli ka vënë në shënjestër një komandant kryesor ushtarak të Hezbollahut në Bejrut. Në korrik, një sulm ajror izraelit vrau Fuad Shukr, komandantin më të lartë ushtarak të grupit.

Për Aqil ishte vendosur një shpërblim prej 7 milionë dollarësh për ‘kokën’ e tij nga Shtetet e Bashkuara për lidhjen e tij me bombardimin vdekjeprurës të marinsave në Liban në vitin 1983, sipas faqes së internetit të Departamentit të Shtetit të SHBA.

Ushtria izraelite raportoi se sirenat paralajmëruese u dëgjuan në Izraelin verior pas sulmit në Bejrut. Mediat izraelite raportuan për sulm të rëndë raketash në veri të Izraelit. Hezbollahu tha se kishte gjuajtur me raketa Katyusha në atë që e përshkroi si selinë kryesore të inteligjencës në Izraelin verior “e cila është përgjegjëse për atentatet”.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë njoftimi izraelit për Shtetet e Bashkuara përpara sulmit në Bejrut, duke shtuar se amerikanëve iu kërkua fuqimisht të mos udhëtonin në Liban ose të largoheshin nëse janë tashmë atje.

“Lufta nuk është e pashmangshme atje lart në Linjën Blu dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për ta parandaluar atë,” tha Kirby, duke iu referuar kufirit midis Libanit dhe Izraelit.

/Shqip.com