Lajme

SHBA kërkon nga Xi që ta shtyjë Putinin drejtë tërheqjës së trupave nga Ukraina

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga presidenti kinez, Xi Jinping që të shtyjë Vladimir Putinin që t’i ndalë krimet e luftës në Ukrainë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby i bëri thirrje Xi që t’i kërkojë homologut të tij rus të tërheqë trupat nga Ukraina.

“Ne shpresojmë se Presidenti Xi do ta shtyjë Presidentin Putin të ndërpresë bombardimin e qyteteve, spitaleve dhe shkollave ukrainase, për të ndalur krimet e luftës dhe mizoritë dhe për të tërhequr trupat e tij nga Ukrainë”, tha Kirby.

Kirby tha se kërkimi i një armëpushimi nuk do të ishte i mjaftueshëm, raporton BBC.

“Por ne jemi të shqetësuar se në vend të kësaj Kina do të përsërisë thirrjet për një armëpushim që lë forcat ruse brenda territorit sovran të Ukrainës dhe çdo armëpushim që nuk trajton heqjen e forcave ruse nga Ukraina do të ratifikonte efektivisht pushtimet e paligjshme të Rusisë”.

Kujtojmë se Xi dhe Putin kanë organizuar bisedime jozyrtare në Moskë e që zgjatën katër orë, kurse një takim tjetër pritet të jetë ditën e sotme e që cilësohet me bisedime më zyrtare.

Ka shqetësime se mbështetja e Kinës për Rusinë – aktualisht e bazuar në teknologji dhe tregti – mund të bëhet ushtarake, duke përfshirë potencialisht predha artilerie.

Putin ka thënë se do të diskutojë një plan prej 12 pikash propozuar nga Xi për të “zgjidhur krizën akute në Ukrainë”.

“Ne jemi gjithmonë të hapur për një proces negociatash” tha Putin, ndërsa udhëheqësit e quajtën njëri-tjetrin “mik i dashur”.

Vizita e Xi në Moskë vjen disa ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus lidhur me akuzat për krime lufte.

Kjo do të thotë se Putin teknikisht mund të arrestohet në 123 vende – megjithëse as Kina dhe as Rusia nuk janë në atë listë.

Udhëheqësit perëndimorë janë përpjekur që nga shkurti i kaluar të izolojnë Rusinë, pas pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës.

Në një zhvillim tjetër, Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida, po bën një vizitë të papritur në Ukrainë për bisedime me Presidentin Volodymyr Zelensky.

Ai pritet të shprehë solidaritet dhe mbështetje për Ukrainën pas pushtimit të Rusisë.

Japonia dhe Kina e shohin njëra-tjetrën si rivale rajonale.

/Shqip.com