Lajme Botë

SHBA-ja sulmon zonën Deir al-Zor e cila kontrollohet nga Irani dhe forcat siriane

Ushtria amerikane ka njoftuar se ka sulmuar qytetin sirian, Deir al-Zor, përkatësisht pikat e përdorura nga grupet e lidhura me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, komanda qendrore e ushtrisë amerikane, ka thënë se këto sulme kanë për synim të mbrojnë forcat amerikane nga sulmet e grupeve të mbështetura prej Iranit.

Sulmet “kanë pasur qëllim të kufizojnë rrezikun e përshkallëzimit dhe që të minimizojnë rrezikun për viktima”, kanë deklaruar nga Komanda amerikane.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhënë detaje që do të identifikonin shënjestrat dhe as nuk kanë ofruar të dhëna nëse ka pasur të vdekur si pasojë e sulmeve.

Sipas ushtrisë amerikane, urdhri për sulm është dhënë nga presidenti amerikan, Joe Biden.

“Sulmet e sotme kanë qenë të nevojshme për të mbrojtur personelin amerikan”, ka thënë zëdhënësi i Komandës Qendrore, Joe Buccino, përmes një deklarate.

Ilustrim, qyteti Deir al-Zor

Buccino, ka deklaruar se ky sulm ka qenë një kundërpërgjigje ndaj sulmit të 15 gushtit që ka shënjestruar forcat amerikane, kryesisht bazën ushtarake al-Tanf Garrison.

Mirëpo, për sulmin e 15 gushtit, SHBA-të patën thënë se në atë sulm nuk ka pasur dëme e as viktima.

Deir al-Zor është provincë siriane në kufi me Irakun që po kontrollohet nga grupet e mbështetura nga Irani dhe forcat siriane./Shqip.com