Lajme

SHBA-ja këshillon Ukrainën që të mos nisë tani një ofensivë të re

Zyrtarë të lartë amerikanë po e këshillojnë Ukrainën që të mos nisin një ofensivë të madhe kundër forcave ruse derisa të arrijnë furnizimet e fundit me armatim amerikan dhe të ofrohen trajnime, tha të premten një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Joe Biden.

Zyrtari, që foli me një grup gazetarësh në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara nuk dëshiron që tani t’i ofrojë Ukrainës tanke Abrams, në mes të kundërthënieve me Gjermaninë lidhur me tanket.

Presidenti Joe Biden, që ka miratuar një paketë të re armësh prej 2.5 miliardë dollarësh për Ukrainën, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, “Ukraina do të marrë të gjithë ndihmën që i duhet”. Kështu deklaroi presidenti amerikan kur u pyet nëse mbështet qëllimin e Polonisë që të dërgojë në Ukrainë tanke Leopard të prodhimit gjerman.

Bisedimet e SHBA-së me Ukrainën lidhur me çdo kundërofensivë kanë qenë në kontekstin që ukrainasit të stërviten fillimisht për armët që do të marrin nga SHBA-ja, tha zyrtari.

Zyrtarët amerikanë besojnë se ukrainasit do të ishin më të suksesshëm nëse fillimisht trajnohen të përdorin armatimet e reja.

Të enjten, SHBA-ja njoftoi se do të dërgojë në Ukrainë qindra autoblinda.

Një delegacion i lartë amerikan, përfshirë nënsekretaren e Shtetit, Wendy Sherman, dhe zëvendëskëshilltarin për siguri kombëtare, Jon Finer, ishin në Kiev ditët e fundit për bisedime me zyrtarët ukrainas.

SHBA-ja beson se Ukraina ka shpenzuar shumë burime për të mbrojtur qytetin e Bahmutit, por ka gjasa të mëdha që rusët të largojnë ukrainasit nga ky qytet, tha zyrtari amerikan.

Nëse kjo ndodh, nuk do të prodhojë ndonjë ndryshim të rëndësishëm në fushëbetejë, tha zyrtari.

Një konsideratë për ukrainasit, tha zyrtari, është se sa shumë burime do të përdorin për të mbrojtur Bahmutin, në një kohë kur ata po përgatiten për një ofensivë për të larguar rusët nga zonat që ata mbajnë nën kontroll në jug të Ukrainës.

Po ashtu, zyrtarët amerikanë po këshillojnë Ukrainën se si të kryejë luftën pa e ndjekur ritmin e Rusisë që po sulmon vazhdimisht me artileri sepse në fund Moska mund të fitojë avantazh nëse ndiqet kjo rrugë, tha zyrtari.

Prandaj, armët e reja amerikane, që përfshirë autoblinda, mund ta ndihmojnë Ukrainën që të ndryshojë rrjedhën se si zhvillohen luftimet, tha zyrtari. /REL

/Shqip.com