Serwer: Vuçiq është përcaktuar për Rusinë dhe Kinën
Njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, njëherësh edhe profesor i Universitetit ‘John Hopkins’, Daniel Serwer, thotë se është e qartë që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është përcaktuar për Rusinë dhe Kinën, transmeton Shqip.com.
Kështu u shpreh ai kur u pyet për frustrimin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian për marrëdhëniet e Beogradit me Pekinin dhe Moskën, derisa tha se Vuçiq më nuk është i ulur në dy karrige por në një – atë që drejtohet nga këto dy vende.
“Vuçiq tha qartë se nuk do ta zgjidhë çështjen e Kosovës para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, dhe ndoshta jo në mandatin tjetër nëse zgjidhet. Pra, ai nuk është ulur më në dy karrige, por në një karrige që drejtohet drejt Rusisë dhe Kinës”, tha Server për televizionin N1.
Server më tej u deklarua rreth korrupsionit në Serbi, të cilin e sheh të ngjashëm me atë në pjesët tjera të Ballkanit.
Ai madje në këtë rast e përmendi edhe zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër të Kosovës, për çka tha se kishte ndjenjë publike se ishte pikërisht ai i cili ishte në gjendje ta kontrollonte korrupsionin.
“Pse Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës? Kishte një ndjenjë publike se korrupsioni ishte jashtë kontrollit dhe se ai do të ishte në gjendje ta kontrollonte atë. Kur bëhet fjalë për Serbinë, mendoj se është e qartë, ata kanë qenë në pushtet për sa kohë dhe elita ekzistuese në Serbi po vjedh shumë. Unë nuk jam kundër njerëzve që e kuptojnë këtë dhe e marrin parasysh kur shkojnë në votime,” tha Serwer.
Serwer u deklarua edhe rreth Samitit të javës së kaluar i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Slloveni, për të cilin tha se e lë derën hapur për zgjerimin e BE -së, por se është e qartë se vendet kandidate do të duhet të përmbushin kushte shumë strikte.
“Unë mendoj se është e parakohshme të flasim për një datë, sepse këto vende janë shumë larg përmbushjes së kritereve dhe nuk mendoj se përmendja e vitit 2030 si një datë do të ishte pozitive,” tha Serwer.
Ai tha se ai mendonte se “një ose dy vende” mund të bëhen anëtare të Bashkimit para vitit 2030, duke thënë se Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut “mbeten të orientuara drejt Perëndimit dhe anëtarësimit në BE”. /Shqip.com