Lajme

Serbët sot votojnë pro ose kundër ndryshimeve në Kushtetutë

Referendumi.

Qytetarët e Serbisë sot do të votojnë për ndryshime në Kushtetutën e këtij vendi lidhur me gjyqësorin. 

Ata kanë opsionet nëse pajtohen për ndryshimet në Kushtetutë apo jo, përcjell Shqip.com.

Në referendum duhet të marrin pjesë mbi 50 për qind të qytetarëve.

Serbia kishte tentuar të hapte qendrat e votimit për referendum edhe në Kosovë, mirëpo institucionet e Kosovës nuk e kanë lejuar një gjë të tillë. Ndaj këtij vendimi, unike janë treguar edhe partitë opozitare të vendit.

Kurse shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kishin reaguar ndaj vendimit të Kosovës dhe kështu, më 14 janar kanë zhvilluar një takim me presidenten, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.

Pas mbledhjes, krerët shtetërorë dolën me një deklaratë të përbashkët ku treguan se Kosova nuk zbrapset nga qëndrimi i saj. Në një deklaratë për media, Kurti tha se do të thërret seancë të jashtëzakonshme për datën 15 janar.

Në seancën e mbajtur, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan me 76 vota pro rezolutën e mosmbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

Kjo draft-rezolutë është propozuar nga shefja e Grupit Parlametar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe se e njëjta është harmonizuar edhe me grupet parlamentare të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në anën tjetër, institucionet e Kosovës u kanë ofruar qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë e kanë shtetësi të dyfishtë dy opsione, të votojnë në Zyrën ndërlidhëse apo të votojnë me postë.

Një ditë para referendumit, Komisioni Zgjedhor i Serbisë ka vendosur që serbët nga Kosova do të mund të votojnë në referendumin e Serbisë në qendrat e votimit në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë e Vranjë./Shqip.com