SBASHK-u paralajmëron protesta dhe greva për shkak të mos miratimit të Ligjit të Pagave

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka paralajmëruar protesta dhe greva për shkak të mos miratimit të Ligjit të Pagave, përcjell Shqip.com.
Përmes një komunikate, SBASHK-u ka deklaruar se është bërë një vit që prej vendimit të Kushtetueses dhe institucionet përgjegjëse dhe Qeveria me apo pa qëllim e kanë harruar Ligjin e Pagave.

“Kushtetuesja nuk kishte thënë se ky ligj nuk duhej bërë kurrë dhe prandaj pjesa më e madhe e të punësuarve në sektorin publik, pra në arsim, shëndetësi, polici, zjarrfikësit, administrata dhe të tjerë shprehur zhgënjimin ndaj kësaj që ndodhi, por i mbante shpresa se Qeveria do të formojë komisionin gjegjës në bashkëpunim me sindikatat dhe do të nisin përmirësimet e kërkuara nga Kushtetuesja”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Tutje, SBASHK-u thotë se mos veprimi i Qeverisë për miratimin e këtij Ligji ka shkaktuar pakënaqësi te ta.
“Mirëpo ka kaluar më shumë se një vit nga vendimi i Kushtetueses dhe bazuar në realitetin shihet se Qeveria dhe gjithë institucionet gjegjëse, me apo pa qëllim, e kanë harruar fare Ligjin e pagave dhe ky veprim i tyre dhe mungesa e gatishmërisë për dialog me sindikatat krijon pakënaqësi, që vazhdon të shtohen, dhe kjo do të bëj që të kthehen protestat dhe grevat, të cilat SBASHK-u e as sindikatat tjera nuk i dëshirojnë, por do të veprojnë në bazë të kërkesave të anëtarësisë sepse ky është obligim i tyre”, përfundon SBASHK-u./SHQIP.com