Lajme

Sarrazin: Liberalizimi i vizave është i domosdoshëm, Qeveria e Kosovës po bën reforma

Manuel Sarrazin

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet që më në fund të liberalizojë vizat për kosovarët, duke e quajtur zvarritjen e procesit si një nga gabimet e bllokut.

“Në Kosovë qeveria është duke bërë reforma dhe ne duam t’i shpërblejmë. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga ato hapa të domosdoshëm që duhet vijojë. Por edhe dialogu i normalizimit me Serbinë duhet të rifillojë dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme për progres”, ka thënë Sarrazin në një intervistë për Deutsche Welle.

I dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajcak (majtas), kryeministri i Kosovës Albin Kurti (në mes) dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç më 4 maj 2022 në Berlin

I pyetur për faktin se Serbia është në qendër të dezinformatave ruse dhe luftës hibride që po përhapet në të gjithë rajonin, Sarrazin tha se masa më e rëndësishme kundër kësaj është besueshmëria e premtimit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Prandaj është kaq e rëndësishme që më në fund t’i korrigjojmë këto gabime që kemi bërë me politikat e zgjerimit, liberalizimin e vizave dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të tregojmë se kur bën progres, Evropa i mban premtimet”, u shpreh tutje ish-deputeti i Bundestagut gjerman.

Theksojmë se Këshilltarja Lokale e Bashkimit Evropian në Vjenë, Kati Schneeberge, i ka shkruar letër presidentit të Francës, Emmanuel Macron që t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

Schneeberge së bashku me letrën ia dorëzoi Macronit edhe peticionin me afër 16 mijë nënshkrime për liberalizimin e vizave.

Kjo letër është dërguar një ditë përpara mbledhjes së Këshillit Evropian ku potencialisht mund të diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lexo edhe:
Zyrtarja e BE-së i kërkon Macronit liberalizimin e vizave për Kosovën

Një muaj më parë, Sarrazin ka qëndruar në Kosovë ku është takuar me krerët e shtetit.

I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, përmes një postimi në Twitter ka deklaruar se Gjermania ka pozicion të qartë mbështetës në raport me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Pozicioni i Gjermanisë është i qartë: Kosova është zemra e Evropës dhe përket në Këshill të Evropës. Dje, e sigurova ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, për mbështetjen tonë për anëtarësim”, ka shkruar Sarrazin.

Ai kishte thënë se Gjermania e mbështesë Kosovën në çdo rrugëtim drejt integrimit evropian./Shqip.com