Teknologji

Samsung do të ulë prodhimin e çipave të memories

Vendimi është marrë pasi Samsung Device Solutions, divizioni përgjegjës për prodhimin e çipave, shënoi një humbje në tremujorin e parë të këtij viti, tremujori i parë me humbje që nga viti 2009.

Fatkeqësisht, pjesa tjetër e këtij viti nuk po duket mirë, kështu që Samsung po zvogëlon objektivat e prodhimit.

Humbja operative në tremujorin e parë ishte 4.6 trilion KRW (Monedha e Kores së Jugut), e cila u ul në 4.36 trilion KRW në tremujorin e dytë. Humbja për tremujorin e tretë do të jetë rreth 4.0 trilion KRW (2.95 miliardë dollarë), parashikon analisti Kim Dong-won nga KB Securities.

Analistë të tjerë parashikojnë humbje më të vogla për tremujorin e tretë – 3.7 trilion KRW, sipas Kim Kwang-jin nga Hanwha Investment & Securities, dhe 3.6 trilion KRW, sipas Greg Roh nga Hyundai Motor Securities.

Në gjysmën e parë të vitit Samsung uli prodhimin e çipave DRAM me 20% dhe të çipave flash NAND me 30%. Për gjysmën e dytë të vitit shkurtimet do të rriten përkatësisht në 30% dhe 40%, thotë Kim Dong-won.

Problemi është kërkesa e ulët për çipa Samsung, një problem me të cilin po përballen edhe rivalët SK hynix dhe Micron Technology që kanë reduktuar prodhimin vitin e kaluar.

Samsung Device Solutions aktualisht është duke punuar në ngritjen dhe funksionimin e një linje të re prodhimi në Kampusin Pyeongtaek, e cila është një tjetër arsye për humbjet aktuale përveç rënies së kërkesës.

/Shqip.com