Rusia sulmon sërish me dronë Kievin dhe qytete të tjera ukrainase
Forcat ruse kanë lëshuar 87 dronë dhe katër raketa ndaj Ukrainës gjatë natës, duke shënjestruar kryeqytetin Kiev, dhe qytete të tjera thanë autoritetet ukrainase më 6 tetor.
Njësitë ukrainase të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 56 dronë dhe dy raketa, bënë të ditur Forcat Ajrore të Ukrainës përmes një postimi në Telegram.
Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, shkroi në Telegram se “dronët rusë u lëshuan në Kiev përmes disa valëve dhe nga drejtime të ndryshme”.
Sulmet në Kiev, sipas autoriteteve, zgjatën për më shumë se pesë orë gjatë natës.
Sulmet ajrore ruse po ashtu goditën portin e Odesës në Detin e Zi, duke shkaktuar disa shpërthime në Odesë, thanë autoritetet lokale.
Nuk ka raportime për viktima nga sulmet e kryera gjatë natës nga Moska, e cila ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ndërkaq, guvernatori i Hersonit, Oleksandr Prokudin, tha më herët gjatë 6 tetorit se një civil u vra dhe 15 të tjerë u plagosën në këtë rajon jugor ukrainas gjatë sulmeve ruse të kryera në 24 orët paraprake.
/Shqip.com