Lajme Ballkan

Rritja e çmimit të energjisë, BE brenda javës publikon planin afatgjatë

Kryetarët e Komisionit dhe Këshillit Evropian në konferencë me kryeministrin slloven

Kriza e energjisë që po prek botën ishte një ndër temat për të cilat u diskutua në Samitin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor në Slloveni, njofton Shqip.com.

Për këtë u deklarua para mediave edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha se sa i përket rritjes së çmimit të energjisë, është e qartë që 90 për qind e gazit është e importuar.

“Kemi detyra për të përmbushur, do të kemi një deklaratë ditët në vijim lidhur me këtë çështje. Do të shohim edhe veprimin tonë në planin afatgjatë”, tha ajo.

Ndërsa,Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel tha se e ndjejnë nevojën dhe rëndësinë për të vepruar, mbi të gjitha për prioritetet “për reformat, vlerat, investimet, dhe kemi qenë mjaft aktivë ditët e kaluara për të ndihmuar, për të lehtësuar dhe mbi të gjitha për të bërë progres”.

“Kemi pasur dhe një darkë informale dhe sot kemi dhënë shembuj konkretë. Nëse duam të jemi më efikasë e më të vendosur, na duhen patjetër edhe rezultate të tjera. Megjithatë, kemi treguar përfshirje konkrete. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët tanë dhe dëshirojmë të bashkëpunojmë me ta”, tha ai.

Michel shton se sa i përket rritjes së çmimeve të energjisë, do diskutojnë në takime të tjera.

“Do të bëhen përgatitje serioze, në mënyrë që të japim disa orientime. Dhe do të kemi edhe mbështetjen e Komisionit Evropian lidhur me këtë”.

“KE do të publikojë një deklaratë lidhur me këtë çështje, në mënyrë që të kemi të gjithë një informacion të përbashkët. Të punojmë për këtë, që të japim orientimin tonë në një tjetër nivel. Do ishte mirë të gjenim një qasje të përbashkët lidhur me këtë”, përfundoi i pari i Këshillit Evropian. /Shqip.com