Lajme

Rritja e çmimeve, Lushtaku e quan Kurtin “hipokrit”

Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Mergim Lushtaku, e ka cilësuar “hipokrit”, kryeministrin, Albin Kurti, pasi ky i fundit në vitin 2014 kishte premtuar se “VV në qeveri çmimet do të ulën”.

Reagimi i Lushtakut vjen pasi janë rritur çmimet për produktet esenciale.

Lexo edhe:
Rriten çmimet për produktet esenciale, hetimi varet nga Qeveria dhe Kuvendi

“Ai sa ishte në opozitë thoshte “Edhe buka me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, nga 36 cent që është mesatarja e çmimeve për muajin shkurt të vitit 2014 bëhet 31 cent, sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent, qumështi nga 91 cent mesatarisht bëhet 78 cent”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

“Por, derisa Kurti është në krye të qeverisë, çmimet për produktet ushqimore nuk janë ulur por kanë shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar”.

Kosova po përballet me një inflacion i cili ka prekur edhe çmimet e produkteve esenciale.

Nga opozita kanë hedhur akuza në drejtim të ekzekutivit.

Ndërsa, hetime për këtë rritje nuk janë duke u bërë.

Pasi, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është pa komision që nga qershori.

Kjo ia pamundëson këtij institucioni që të hap apo mbyllë hetime. /Shqip.com