Teknologji Shkencë

Rindërtohet fytyra e mbretit të Egjiptit, pas mbi 3 mijë vjetësh

Tiparet e mbretit Tutankhamun u gjallëruan nga një ekip ndërkombëtar akademikësh nga Brazili, Australia dhe Italia, duke përdorur një model dixhital të kokës së tij të mumifikuar.

Rindërtimi zbulon pamjen rinore dhe ‘delikate’ të një mbreti që ishte ende adoleshent kur vdiq më shumë se tre mijë vjet më parë.

Pasi ekipi ndërkombëtar nuk kishte akses të drejtpërdrejtë në kokën e faraonit, kompletimi i modelit të ri ishte veçanërisht sfidues.

Fatmirësisht, studimet e mëparshme kishin regjistruar tashmë matjet e kokës dhe kanë publikuar imazhe referimi.

Më pas u aplikuan shënues në kafkë që tregonin trashësinë e indeve të buta në vende të ndryshme, duke përdorur të dhëna nga egjiptianët modernë si udhëzues.

Me këto dhe teknika të tjera, fytyra u rindërtua gradualisht në një rindërtim objektiv. Më pas u shtuan elemente subjektive si ngjyra e syve për të humanizuar më tej pamjen.

Nuk është hera e parë që shkencëtarët përpiqen të rindërtojnë ngjashmërinë e faraonit, një tjetër përpjekje u bë në vitin 2005.

Michael Habicht, një egjiptolog dhe arkeolog në Universitetin Flinders në Australi, i cili është bashkëautor i studimit të ri, vuri në dukje ngjashmërinë befasuese midis dy rindërtimeve.

“Rindërtimi ynë është jashtëzakonisht i afërt me atë të bërë nga një ekip francez disa vite më parë. Kjo gjithashtu korrespondon me përshkrimet e lashta të Tutankhamunit, veçanërisht me kokën dhe thesari i varrit të tij.” tha ai.

Tutankhamuni, i cili u adhurua si perëndi gjatë jetës së tij, vdiq në 1323 para Krishtit dhe u pasua nga këshilltari i tij.

/Shqip.com