Rikthehet kufizimi i orarit të punës shkaku i temperaturave të larta
Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për të kufizuar orarin e punës.
Vendimi është marrë pas rritjes së temperaturave në vend.
Kufizimi i orarit të punës vlen nga data 14.08.2024 deri më 17.08.2024.
Përmes një njoftimi në Facebook, MSH-ja ka njoftuar për masat që do të zbatohen përgjatë kësaj periudhe.
Njoftimi i plotë:
Nga data 14.08.2024, deri më 17.08.2024 kufizohet orari i punës;
1.1 Gjatë kësaj periudhe të nxehtësisë ekstreme, rekomandohet që të ndryshohen oraret e punës për të shmangur punën në orët më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 16:00;
1.2 Të aplikohet orari fleksibël i punës, që nënkupton lejimin e punëtorëve që të fillojnë punën më herët në mëngjes ose të punojnë nga shtëpia nëse ka mundësi;
1.3 Shtatzënat të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë 11:00 – 16:00, ose të punojnë nga shtëpia;
1.4 Në oraret 11:00 – 16:00 ndalohet puna për qytetarët e prekur me sëmundje kronike, apo të punojnë nga shtëpia;
1.5 Të ndalohen punimet në sektorin e ndërtimtarisë, që janë të ekspozuara në diell gjatë orarit 11:00 -16:00;
1.6 Të shpërndahen informacione përmes burimeve të informimit dhe broshurave e materialeve të tjera informuese për qytetarët për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia;
1.7 Të sigurohen kontrolle mjekësore për të punësuarit që tregojnë shenja të stresit nga nxehtësia dhe që i janë ekspozuar nxehtësisë ekstreme;
1.8 Ata që merren me punët në bujqësi, të planifikojnë zhvillimin e tyre në mëngjes herët ose pasdite vonë për të shmangur ekspozimin në nxehtësinë e madhe.
Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta.
/Shqip.com