Lajme

Reshjet e shiut, KEDS: Po sanojmë dëmet e shkaktuara në rrjet

Kushtet atmosferike të rënduara në rajonin e Pejës, Mitrovicës, Skenderajt dhe të Vushtrrisë, kanë shkaktuar dëme në infrastrukturën e rrjetit elektroenergjetik.

KEDS ka njoftuar se ekipet e tyre ndodhen në terren për të sanuar dëmet e shkaktuara nga reshjet e pandalura të shiut.

“Ekipet e KEDS-it të këtyre Distrikteve ndodhen në terren dhe në Pejë, Mitrovicë e Skenderaj janë detyruar të bëjnë shkyçjen e  disa daljeve nga furnizimi, meqë disa shtëpi janë përfshirë nga vërshimet.

Kjo ndodh për shkak të sigurisë së vetë banorëve dhe të punëtorëve të KEDS-it, të cilët deri më tash në disa zona kanë arritur të riparojnë dëmet e shkaktuara dhe po punojnë vazhdimisht në eliminimin e tërësishëm të tyre”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Tutje, bëhet e ditur se po punohet që të kthehet normaliteti dhe kërkohet mirëkuptimi nga konsumatorët.

“KEDS-i është i përkushtuar që të sanojë sa më parë dëmet e shkaktuara në rrjet nga vërshimet dhe ta kthejë gjendjen me furnizim në normalitet, për çka kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve tanë atje”, përfundon njoftimi i KEDS-it.

/Shqip.com