Sport Ndërkombëtar

Real Madrid – Benzema, ende pa marrëveshje

Karim Benzema

Karim Benzema ende nuk e di se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, përderisa i skadon kontrata në qershor. Real Madrid ende nuk ka ndërmarrë veprime për të rinovuar kontratën me francezin, por në Spanjë bëjnë me dije se madrilenët janë të gatshëm për të vijuar bashkëpunimin me sulmuesin.

35-vjeçari nuk dha asnjë informacion pak ditë më parë në një intervistë të dhënë duke lënë në pikëpyetje të ardhmen e tij.

“Jam i fokusuar në punën time, këtu në Madrid dhe po shijoj çdo stërvitje e çdo ndeshje. Nuk mund të them asgjë për të ardhmen time. Ajo që mund të them për momentin është se do ta shijoj në maksimum kohën time në Madrid. Thjesht, po fokusohem te puna për të marrë sa më shumë pikë në pjesën e dytë të edicionit. Ndërsa, të ardhmes kurrë nuk i dihet, sidomos në futboll”, ka thënë Benzema.

Sipas medieve spanjolle, Real Madrid do të presë deri në fundin e sezonit dhe më pas do të diskutojë së bashku me sulmuesin për të ardhmen. Kjo për faktin se madrilenët kërkojnë kohë për të kuptuar nëse Benzema do të jetë i gatshëm për të vazhduar duke përfshirë këtu edhe problemet e tij fizike që e shqetësuan në fillimin e këtij edicioni.

/Shqip.com