Lajme

Reagon Haradinaj: Ky është sulm terrorist

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me vrasjen e policit të Kosovës dhe plagosjes së një tjetri në fshatin Banjskë të Leposaviqit sot në orët e para të mëngjesit.

Haradinaj është shprehur i tronditur lidhur me rastin.

“Ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka ftuar organet e rendit për bashkërendim të veprimeve me KFOR-in dhe aleatët ndërkombëtarë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme “për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e këtij akti”

/Shqip.com