Lajme Botë

Reagimet e amerikanëve pas gjetjes fajtor të Donald Trump

Donald Trump
Donald Trump

Kandidati për president, Donald Trump, thotë se administrata e Presidentit Biden orkestroi çështjen e tij penale në gjykatën e Nju Jorkut për të fituar një avantazh në zgjedhjet e nëntorit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, Presidenti Joe Biden tha se sistemi i drejtësisë duhet të respektohet.

Mbështetësit e zotit Trump u mblodhën të premten jashtë Kullës Trump në Nju Jork, ku ai tha se vendimet për gjetjen e tij fajtor ishin orkestruar nga Presidenti Joe Biden.

“E gjithë kjo është bërë nga Biden-i dhe njerëzit e tij. Ndoshta njerëzit e tij, kryesisht. Nuk e di nëse Biden-i di shumë për këtë, sepse nuk e di nëse ka njohuri për ndonjë gjë, por megjithatë ai është presidenti, kështu që ne duhet ta përdorim emrin e tij”, tha Donald Trump.

Presidenti Biden u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se sistemi amerikan i drejtësisë duhet të respektohet.

“Eshtë e rrezikshme dhe e papërgjegjshme që dikush të thotë se vendimi ishte i montuar vetëm sepse nuk i pëlqeu”, tha zoti Biden.

Një juri e shpalli zotin Trump fajtor për falsifikimin e të dhënave të biznesit për të fshehur pagesat ndaj një aktoreje të filmave pornografik për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Prokurori i çështjes, Alvin Bragg, thotë se vendimi përfaqëson shumë zëra.

“Kemi zërin më të rëndësishëm nga të gjithë. Dhe ky është zëri i anëtarëve të jurisë. Ata kanë folur. Donald J. Trump është gjetur fajtor për 34 akuza për falsifikimin e të dhënave të biznesit”.

Gjetja fajtor e zotit Trump mund të ndikojë tek qëndrimi i votuesve amerikan në zgjedhjet që priten të jenë tejet të ngushta, thotë profesorja e Universitetit Hofstra, Meena Bose

“Flasim për votuesit e pavendosur dhe të pavarur, votuesit që mund të jenë të zhgënjyer me Presidentin Biden për një mori arsyesh, por ndoshta nuk ishin të prirur për ta mbështetur Donald Trump-in. Kjo mund të bëjë një ndryshim të madh”.

Në Teksas, votuesi Colton Coates thotë se vendimi duket i drejtë.

“Nuk e di se cilës parti i përkisnin juria e Nju Jorkut, por besoj se ishin të paanshëm. Kur kemi shumë anëtarë jurie dhe ata të gjithë bien dakord për të njëjtën gjë, kuptohet se duhet të ketë një lloj vërtetësie në verdiktin e tyre”.

Curtis Naio thotë se kjo tregon se sistemi i drejtësisë amerikane nuk është i paanshëm.

“Nëse amerikanët nuk e kuptojnë sistemin gjyqësor në këtë formë që kemi tani, nëse mund t’ia bëjnë këtë një presidenti, kryesisht ato që kanë bërë ndaj tij gjatë shtatë apo tetë viteve të fundit, njerëzit duhet të zgjohen sepse radha po u vjen atyre”.

Avokati i zotit Trump, Todd Blanche tha se do t’i apelojë vendimet. Kjo do të bëjë një ndryshim të madh, thotë votuesi i Alabamës Bill Adams.

“Kam rezerva për të votuar për një të dënuar për krime, por besoj se apeli do t’i hedhë poshtë vendimet.”

Në Kaliforni, votuesja Tracey Lewis thotë se verdikti tregon se Trump-i nuk është mbi ligjin.

“Ai nuk është i përshtatshëm për postin. Ndaj tij ka edhe shumë çështje të tjera gjyqësore. Shpresoj që kjo të ndryshojë prirjen dhe më shumë njerëz ta kuptojnë se ai nuk duhet të lejohet që të bëhet përsëri president”.

Masa e dënimit do të shpallet më 11 korrik, pak ditë përpara se Partia Republikane pritet ta emërojë atë zyrtarisht si kandidatin e saj për president. /VOA

/Shqip.com