Lajme

Rashiq paralajmëron tërheqjen nga politika

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, ka paralajmëruar tërheqjen e tij nga politika, transmeton Shqip.com.

Ai thotë se nuk është në gjendje të marrë barrën që serbët e Kosovës të pësojnë vetëm pse i përkrahin idetë e tij.

“Nëse ju duhet të garoni në një garë ku mund të humbni gjithçka, e mund të humbni edhe jetën, e nëse institucionet që i zbatojnë zgjedhjet s’janë në gjendje të ofrojnë sigurinë dhe mundësinë e zgjedhjes me të vërtetë të çdo qytetari, ndoshta është koha të mendohet jo vetëm për pushim, por edhe për pensionim”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai madje shton se ndjehet i obliguar të paguajë humbjet që njerëzit kanë pasur për shkak të përkrahjes ndaj tij, andaj nuk mund “të sheh”, më shumë njerëz të sakrifikuar.

“S’jam njeri që i nënshtrohem presioneve, por a e dini sa e vështirë është që të vijnë njerëz që kanë humbur vendet e punës apo janë hequr nga listat sociale. Ju e ndieni veten të obliguar t’i paguani ato humbje që kanë pasur njerëzit dhe llogariteni se sa kushton kjo në formën kur ju duhet të merrni barrën për të gjithë ata që janë të diskriminuar apo kanë pas pasoja financiare – që të përkujdeseni për ata”.

“S’është e mundshme dhe sinqerisht pasi që, e para nuk po dëshiroj që të shoh edhe më shumë njerëz të sakrifikuar apo disiplinuar që të jenë simpatizues të ideve të mija, dhe e dyta nuk shoh kurrfarë ndryshimi në pozicionet e institucioneve të Kosovës për sigurimin e kushteve për zgjedhje normale”, ka shtuar Rashiq. /Shqip.com