Lajme

Rashiq konfirmon pjesëmarrjen në diskutimet e SHBA-së për Asociacionin

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, konfirmoi se ka marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pres të jetë një takim i mirë”, tha Rashiq.

Ai u emërua në pozitën e ministrit dhjetorin e kaluar, kur Goran Rakiq, nga radhët e Listës Serbe, dha dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe në veri të Kosovës.

Rashiq tha se qëndrim i tij është se marrëveshjet nuk mund të injorohen. Në këtë kontekst, shtoi ai, duhet të analizohen edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2015, për harmonizimin e Asociacionit me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në muajin dhjetor se, nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrë për formimin e Asociacionit, SHBA-ja do të kërkojë “partnerë alternativë”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka riperseritur se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është ‘e vdekur’.

Në një intervistë në mediumin estonez, Gërvalla tha se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kjo të mos ndodhë.

Gërvalla tha se nuk duhet të ketë një qeveri që është e gatshme të zbatojë diçka që shkel Kushtetutën e vetë.

/Shqip.com