Lajme

Raporti 2022: Kosovarët i besojnë më së shumti FSK-së

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK)
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK)

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot (21 dhjetor 2022) anketën e Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2022 lidhur me besimin e të anketuarve në institucionet publike, si dhe perceptimet për korrupsionin dhe integritetin e administratës publike në vend.

Sipas anketës, institucionet e sigurisë kanë rezultuar se gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve në krahasim me institucionet tjera.

Forca e Sigurisë së Kosovës është më e besueshmja me 83%, pasuar nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave me 73% dhe Policia e Kosovës me 72%.

Nga ana tjetër, institucionet e drejtësisë vazhdojnë të përballen me skepticizëm e mungesë besimi për shkak se besimi në Gjykata dhe Prokurori nuk ka shënuar rritje as këtë vit.

Shkalla e besimit në këto dy institucionet është 30%.

Sa i përket institucioneve qendrore, Presidentja e Kosovës renditet me besim relativisht të lartë nga të anketuarit në krahasim me Qeverinë dhe Kuvendin.

Rrjedhimisht, Presidentja gëzon besimin e 59% të të anketuarve, përderisa Kuvendi i Kosovës me vetëm 25% dhe Qeveria e Kosovës me 33% përkatësisht.

Këto dy të fundit kanë shënuar rënie të besueshmërisë në krahasim me vitin e kaluar, thuhet në raportin e QKSS-së.

/Shqip.com