Lajme

Rama – Vitisë: Prita që Kurti ju shoqëron edhe sonte në studio

Kandidatët për kryetar të Prishtinës: Përparim Rama dhe Arben Vitia

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, të mërkurën mbrëma janë përballur në debat televiziv, para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahet të dielën e 14 nëntorit.

Ky i fundit ia ka përmendur Vitisë përkrahjen që po merr nga kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministrat e tij.

Ka thënë se në këtë debat, Vitinë e ka pritur së bashku me Kurtin për ta shoqëruar.

“Vendimmarrja për aspektin lokal e ka pavarësinë e plotë. Ne jemi të qartë me projektet tona. Ne nuk varemi dhe nuk i humbim kohë qeverisë, sikur qeveria humb kohë me juve… pra kemi gjashtë ministra dhe kryeministrin që humb kohë me juve, e nuk janë duke i kryer punët e Kosovës”, është shprehur Rama në Klan Kosova.

“Unë faktikisht e prita edhe z. Kurti këtu. Prita mos po vjen me ju shoqëruar. Madje edhe ata ministrat që i shohim me ju”, ka vazhduar më tej ai.

Përparim Rama dhe Arben Vitia

Në anën tjetër, Vitia e ka pyetur Ramën se “nëse ia doni kaq shumë të mirën Prishtinës dhe nuk dyshoj që ia doni, pse nuk u bëtë kandidat i pavarur”.

“E gjithë fushata e dimë që bëhet nga strukturat e LDK-së dhe kemi parë që gjithë kasta e vjetër në LDK vazhdon t’iu mbështes”, ka thënë Vitia.

“Nuk kam dyshim në çdo fjalë që thoni, mirëpo duke qenë mosnjohjes i skenës politike në Kosovë jam i sigurt se do të përballeni qysh në fillim me shumë probleme që vijnë nga kjo kastë”.

Rama është kundërpërgjigjur duke thënë se “nuk do të përballem me probleme, sepse mua do të më zgjedhë populli”.

“Unë jam i pavarur në aspektin e vendimmarrjes për arsye se nuk më ka zgjedhur LDK-ja, por më ka zgjedhur populli i Kosovës”, theksoi Rama.

“Jam i hapur që drejtoritë të jenë prej njerëzve profesionistë e që nuk ka lidhje a janë nga Vetëvendosja, LDK-ja, PDK-ja ose parti të tjera. Unë nuk kam ardhur ta përdor pozitën si trampolinë për t’u bërë kryeministër, president apo kryetar partie”./SHQIP.com