Lajme

Rama: Vdekja e Navalny tragjedi, NATO të forcojë kapacitetet mbrojtëse

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vdekjen në burg të liderit të opozitës ruse, Alexei Navanly i cili mbahej i arrestuar që prej vitit 2021 dhe ishte dënuar me 19 vite burg.

Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social ‘X’, Rama shprehet se i bashkohet qëndrimit të presidentit amerikan Joe Biden sa i takon nderimit të Navanly dhe marrjes së masave ndëshkuese ndaj Rusisë.

Sipas kreut të ekzekutivit, vdekja e liderit kryesor të opozitës ruse dhe kundështarit më të madh të Vladimir Putin, thekson rëndësinë e vendosmërisë së aleatëve të NATO-s.

Rama shkruan më tej se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar me aleatët në forcimin e aftësive mbrojtëse dhe riorganizimin e industrisë ushtarake.

“Unë qëndroj me Presidentin Biden dhe liderë të tjerë aleatë për të nderuar sakrificën përfundimtare të Alexei Navalny. Kjo tragjedi nënvizon rëndësinë e unitetit dhe vendosmërisë aleate. Konferenca e Sigurisë së Mynihut është një moment i përshtatshëm për të theksuar rëndësinë e përpjekjeve kolektive, veçanërisht midis aleatëve të NATO-s. Ne të gjithë duhet të ndajmë përgjegjësinë e mbajtjes së parimeve të NATO-s dhe ndërkohë që përballemi me sfida komplekse, ne nuk duhet të hezitojmë të shkojmë më shumë. Angazhimi 2% është kërkesa minimale, jo maksimumi. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar me partnerët tanë për të forcuar aftësitë tona mbrojtëse, duke përfshirë rigjallërimin e industrisë sonë ushtarake”- u shpreh Rama.

Më herët, ndër politikanët shqiptarë që reaguan për vdekjen e Navanly ishin edhe ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ky i fundit shkroi në rrjetin social ‘X’ se vdekja e liderit të opozitës në Rusi tregon një vendosmëri të Moskës zyrtare për të eleminuar këdo që del kundër regjimit.

Presidenti i SHBA, Joe Biden si shumë liderë të tjerë kanë fajësuar presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e liderit të opozitës ruse duke paralajmëruar se do të ketë pasoja për Rusinë.

/Shqip.com