Rama reagon pas dëshmisë së zyrtarit të Human Rights Watch

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas deklarimeve të zyrtarit të Human Rights Watch, Frederick Abrahams se në raportin e tij për vrasjen e civilëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka cituar mediat serbe për “ndalime dhe abuzime” në vitin 1998.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se gjyqi kundër ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë “po kthehet në një barrë në ndërgjegjen e botës demokratike”.
“Ky është një moment i gjyqit kundër Presidentit Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së në Hagë, ku ndjehesh realisht keq për ideatorët e kësaj trupe speciale, e cila deri më tash special ka vetëm misionin e saj të pamundur të prokurorëve të saj, për të provuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë kriminelë lufte”, ka shkruar ai.
Në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së deri tani janë dëgjuar 21 dëshmitarë të ZPS-së, përfshirë zyrtarin e Human Right Watch. Ndërsa vetëm pesë prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe seanca të hapura për publikun.
/Shqip.com