Lajme

Rama: Për Veliajn u dha arrest me burg pa qenë i pandehur, prokurori nuk ka provat e mjaftueshme, nuk nis dot gjyqin

Kryeministri Edi Rama doli sërish “sy m’sy” me popullin mëngjesin e së martës, duke vazhduar të flasë për Erion Veliajn dhe SPAK-un.

Kreu i qeverisë e nisi duke shpjeguar ndryshimin mes të dyshuarit dhe të pandehurit.

I dyshuari është dikush për të cilin edhe vetë Prokuroria nuk i ka provat e mjaftueshme për të kërkuar burgosjen e tij. Pra, ky person ka bërë një dy tre dhe për këtë kërkoj dënim. I pandehuri është dikush që prokurori shkon në gjykatë dhe i thotë kam këto prova, fillo gjyqin. Pra ka mbledhur provat, nuk është e bindur për provat, kjo i dyshuari. I pandehuri është me prova.

A e dini ju që kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk është i pandehur? Pra vetë prokuroria nuk është i gatshëm të kërkojë gjyqin, por ka dyshime të arsyeshme sipas tij, që nuk i ka ato prova”, tha Rama.

Që të jemi shumë të qartë, për të gjithë ata që thonë se u tërbua Edi Rama, iu vërsul SPAK-ut, them se nëse nuk mbroni Ramën në betejën e tij me PS, nuk ka SPAK. Kjo është e qartë. As nuk do kishte dhe as nuk ka, sepse “bufi i kënetës” e ka thënë: më jepni votën që të shkrij SPAK-un! Unë dhe PS e garantojmë SPAK-un”, vijoi ai.

Unë nuk kontestoj ndonjë provë, duke iu kundërvënë SPAK-ut. Por, statusi i Erionit si person i dyshuar dhe jo i pandehur. Unë kam kërkuar të më japin vetëm një paragraf nga ajo dosje që tregon se kreu i Bashkisë ka kryer ndonjë veprim në thyerje të ligjit”, shtoi Rama.

Më pas, kryeministri pyeti ndjekësit nëse i duket normale që një kryetar bashkie në detyrë të merret nga zyra dhe të çohet në burg pa gjyq?

“Sado të mëdha të jenë dyshimet, prapë janë të pamjaftueshme për të ngritur një akuzë. Si mund të quhet sulm ndaj SPAK-ut ky, kur po ngre një problem që është kaq parimor?”, tha Rama.

/Shqip.com