Rama për Ballkanin e Hapur: Është për të qeshur, e trajtojnë si instrument që do ta marrë Serbia tregun
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron në Kosovë pasi më 20 qershor pritet të mbahet mbledhja e dy qeverive.
Rama, të dielën ka vizituar disa fabrika prej nga atje ka folur për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.
Kreu i Qeverisë, po ashtu foli edhe për çështjen e Ballkanit të Hapur, për të cilin u shpreh se me këtë ide, secili do ta merrte atë që i takon.
”Është shumë për të qeshur dhe për të qarë kur Ballkanin e Hapur, e trajtojnë si një instrument që do marri Serbia tregun. Por, po të shikosh volumin tregtar të Serbisë, rritjen më të madhe e ka këtu. Pavarësisht gjithë pengesave, problemeve, dhe gjithë marrëdhënieve që janë dhe në këtë rast përgjegjësia është në anën e Serbisë është në anën e Kosovës. Praktikisht volumi më i madh tregtar është këtu dhe rritja më e madhe është këtu”.
”Pra, nuk është çështja se Ballkani i Hapur do bëjë ndonjë gjë tjetër përveç se do krijojë hapësirë shumë më të madhe për të gjithë. Do të zgjerojë shumë më tepër frymëmarrjen ekonomike për të gjithë, dhe secili do të marri pjesën e vet të asaj që i takon. Ti nuk mund të nisesh si e si të pengosh tjetrin, pavarësisht se për vete mund të vuash shumë më tepër. Ti duhet të nisesh si e si të fitosh për vendin tënd, pastaj të tjerët të fitojnë pjesën e tyre. Kjo nuk është diçka që duhet ta pengosh, apo që do duhej të ishte shqetësimi yt fare”.
”Sa më mirë të jenë ekonomikisht fqinjët, aq më mirë shkojnë punët edhe në drejtimin politik”, tha ai.
Theksojmë se më 20 qershor, në Prishtinë do të mbahet mbledhja e dy qeverive Kosovë – Shqipëri.
Gjatë kohës së zhvillimit të kësaj mbledhje, Policia e Kosovës do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mbajtjen e rendit e qetësisë publike.
Në një deklaratë për media, Policia ka njoftuar se ata do të kujdesen dhe gjatë lëvizjes së kryeministrit dhe ministrave të Qeverisë së Shqipërisë.
Si shkak i mbledhjes, Policia sot pasdite dhe nesër do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore, ku pritet të kalojnë delegacionet.
Takimi në Prishtinë vjen në një muaj ku qëndrimet e liderëve në Tiranë dhe Prishtinë nuk kanë qenë shumë miqësore mes tyre.
Nga Ohri ku u mbajt sesioni i radhës i nismës së Ballkanit të Hapur, Rama deklaroi se respektonte qëndrimet e një shteti Sovran si Kosova, por i kujtoi liderëve kosovarë historinë e marrëdhënies SHBA-Japoni, për t’i kërkuar të mos e refuzojnë më nismën për shkak të pjesëmarrjes së Serbisë.
Diferencat e theksuara në qëndrime u shfaqën edhe pak ditë më parë në Greqi në Samitin e SEECP, ku Rama e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka shkëmbyer jo pak replika, qëndruan larg njëri-tjetrit./Shqip.com