Rama nesër merr pjesë në takimet e “Open Balkan” në Beograd

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën do të jetë i pranishëm në Beograd në takimet e radhës për “Open Balkan”, që pritet të mbahen më 3 dhe 4 nëntor, përcjell Shqip.com.
Këtë e ka konfirmuar Zyra e Kryeministrit në Shqipëri duke njoftuar se nuk ka asnjë ndryshim plani për takimin pas dorëheqjes së Zoran Zaev të dielën nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, raporton Euronews Albania.
Në këtë takim pritet që i pranishëm të jetë një përfaqësues i qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq, të hënën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se ka dyshime për zhvillimin e takimeve në Beograd, pas zhvillimeve të fundit në Maqedoninë e Veriut.
Ndryshe, “Open Balkan” është një nismë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, e njohur edhe si “Mini-Shengeni Ballkanik”.
Kjo nismë kishte nxitur debat mes vendeve të Ballkanit ku Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina nuk kanë pranuar të angazhohen.
Kurse, në fund të korrikut, liderët e tri vendeve, Rama, Zaev dhe Vuçiq kanë nënshkruar tri marrëveshje: Memorandumi i Mirëkuptimit për Lehtësimin e Importit, Eksportit dhe Lëvizjes së Mallrave në Ballkanin Perëndimor, Marrëveshjen e bashkëpunimit për Mbrojtjen dhe Shpëtimin nga Katastrofat në Ballkanin Perëndimor, dhe Memorandumi për lëvizjen e tregut të punës në rajon, lidhur me lejen e qëndrimit të përkohshëm./SHQIP.com