Lajme

Rama: Komuna nuk ka ndikuar në rritjen e faturave të tatimit në pronë

Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar ndaj vendimit për rritjen e çmimit të tatimit në pronë.

Ai ka shkruar në Facebook, se ka dy ditë që qytetarët po i shkruajnë rreth këtij shqetësimi dhe ka vendosur që të ju drejtohet banorëve të Prishtinës, të cilët preken direkt nga ky proces.

“Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (neni 17 i Ligjit nr. 06/005 dhe UA MF-Nr. 08/2019) Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa Kryeqyteti sipas të njejtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të Ministrisë.

Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë. Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, ka shkruar Rama.

Tutje, ai ka siguruar qytetarët se Komuna e Prishtinës nuk ka pasur asnjë ndikimin në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhë si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave.

/Shqip.com